Kërkesa e ish-kryeministrit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka është rrëzuar sërish.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se ajo do të vijojë të drejtojë seancën gjyqësore ndaj ish-Kryeministrit për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Kjo vjen pasi ditën e sotme avokati Genc Gjokutaj, në një prononcim për gazetarët tha se ata kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.

“Bëmë kërkesë paraprake për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Është depozituar kërkesa, është zhvilluar me kërkimin tonë, pra humbjen e fuqisë së masës së sigurimit. Janë bërë prapsimet e prokurorit dhe është ndërprerë seanca për të shqyrtuar kërkesat për përjashtim edhe për të na dhënë një kopje të akteve të prokurorisë në lidhje me objektin e kërkimit”.

I pyetur se cilat janë argumentet me të cilat ata kërkojnë përjashtimit e gjyqtares në shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjokutaj tha: “Absolutisht ajo ka detyrë të heqë dorë, ajo nuk e bëri këtë veprim, pasi në vitin 96 kjo gjyqtare është shkarkuar nga detyra nga KLD-së i asaj kohe, i cili kryesohej nga zoti Berisha në cilësinë e kryetarit të KLD, si president i republikës”.

Kjo është hera e dytë që ish-kryeministrit Berisha i rrëzohet kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka./tvklan.al