Rrihet dhe abuzohet seksualisht 50-vjeçarja shqiptare në Greqi, dëshmitarja rrëfen ngjarjen




Rrihet dhe abuzohet seksualisht 50-vjeçarja shqiptare në Greqi, dëshmitarja rrëfen ngjarjen

10:02 21/06/2021

Një 50-vjeçare shqiptare është abuzuar seksualisht në Greqi nga një 35-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në pallat në Petralona, ku 50-vjeçarja punonte si pastruese.

35-vjeçari, banor i pallatit dhe që mendohet të jetë me origjinë bullgare, mori me forcë brenda apartamentit pastruesen, ushtroi dhunë ndaj dhe abuzoi seksualisht me të.

50-vjeçarja mundi të arratisej nga ballkoni i apartamentit. Ajo u ndihmua nga një grua tjetër, një banore e pallatit, e cila pasi dëgjoi thirrjet për ndihmë të pastrueses, nuk hezitoi ta ndihmonte.

Ajo ka folur për mediat greke duke thënë se policia shkoi me vonesë në vendngjarje.

“Isha e para që e pashë gruan. E gjeta gjysmë të zhveshur dhe me shenja në fytyrë nga dhuna. Ishte shumë e rënë psikologjikisht”, tha dëshmitarja për televizionin grek Ant1. Ajo tregoi gjithashtu se ishte vetë 50-vjeçarja e abuzuar që kishte shkuar në polici për të bërë denoncim, ku kishte kallëzuar se ishte rrahur dhe abuzuar seksualisht 7 herë.

“Gruaja arriti që të dilte nga ballkoni dhe të largohej nga banesa. Kurse ai (autori) ishte brenda dhe ulërinte. Policia erdhi vonë, shumë vonë. Policia erdhi në orën 22:00 të mbrëmjes. Ai (autori) do të priste brenda? Iku u largua nga kati i dytë”, tregoi më tej dëshmitarja.

Kjo e fundit rrëfen gjithashtu se autori kërcënoi edhe atë për faktin se kishte ndihmuar 50-vjeçaren.

“Më kërcënoi mua dhe vajzën time sepse ndihmuam gruan. Tha se do të na mbyste, kemi frikë. Qëndrojmë në shtëpi me grila të ulura. Policia na tha të mos hapim grilat dhe as derën nëse bie zilja”.

Autori është shpallur në kërkim nga policia. Ai është person problematik, sikurse tregojnë fqinjët e tij, dhe vazhdimisht ushtron dhunë edhe ndaj nënës së tij. /tvklan.al





Të ngjashme