Djali i politikanit serb nga Kosova dhe ish-ministrit, Nenad Rashiq, është rrahur brutalisht nga disa persona. Nga raporti i policisë thuhet se 18 vjeçari Nikolla Rashiq është sulmuar në fshatin Llapnasellë të Graçanicës derisa po dilte nga shkolla.

Babai i tij Nenad Rashiq ka treguar se Nikolla ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë.

“Pas përfundimit të shkollës, ka qenë një grup rreth 30 persona, që përveç dorezave të hekurta, ata kanë pasur edhe çekiçë e thika. Unë kam pranuar që duhet ta paguaj çmimin e ideologjisë që kam, por me të vërtetë unë nuk kam pritur që djali im duhet ta paguajë një çmimin kaq jornomal”, ka thënë Rashiq.

Ndërsa policia ka nisur hetimet dhe ka shoqëruar disa persona në stacionin policior, për rrahjen e Nikolla-s ka pasur edhe shumë reagime nga politikanët në vend. Presidentja në detyrë Vjosa Osmani ka fajësuar shtetin serb për ndodhinë.

“Është tashmë e qartë që sulmi ndaj tij është në vazhdën e kërcënimeve të shumta e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë, që kanë për qëllim frikësimin e qytetarëve serbë”, ka thënë Osmani në reagimin e saj.

Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka pasur të njejtin reagim duke shkruar ne Facebook se “ duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën.”

Osmani edhe Kurti kanë kërkuar që organet e rendit urgjentisht ta zbardhin këtë rast dhe kriminelët të përgjigjen para drejtësisë.

Reagime për rastin ka pasur edhe nga Lista Serbe, partia që kontrollohet nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, dhe kundërshtarët politik të Nenad Rashiqit.

Ata përmes një komunikate të publikuar në Facebook, kanë ftuar organet kompetente që në mënyrë sa më të shpejtë të kryejnë hetimet dhe përgjegjësit të marrin dënimin që meritojnë.

Nenad Rashiq, është politikan serb nga Kosova. Ideologjia e tij është që serbët duhet të shikojnë integrimin në Kosovë dhe jo të mohojnë shtetësinë apo të kërkojnë rikthim të Serbisë. Ai mbron interesat e serbëve në vend dhe e pranon pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës./tvklan.al