Suedia ka regjistruar shifra të larta të infeksioneve nga Covid-19, duke kaluar Francën dhe Britaninë në raport me numrin e popullsisë.

Sipas të dhënave nga autoritetet suedeze, janë dyfishuar edhe shtrimet në spital të pacientëve me koronavirus. Në vend deri më tani janë 208.295 raste infeksioni dhe 6406 viktima që nga fillimi i pandemisë.

Këto shifra janë shumë herë më të vogla sesa në Francë, Britani apo dhe Spanjë, por në raport me numrin e banorëve, Suedia i ka tejkaluar këto 3 shtete. Vendi nordik ka shifra më të larta edhe se Norvegjia.

Në dy javët e fundit, është dyfishuar numri i pacientëve që shtrohen në spitale. Edhe numri i të infektuarve që janë nën kujdes intensiv është dyfishuar dhe është më i lartë se në Austri dhe Sllovaki.

“Pavionet e kujdesit intensiv nuk janë ende në kapacitetet maksimale, por mund të mbushen shumë shpejt nëse vazhdon kjo tendencë”, tha kreu i Akademisë Suedeze të Shkencave, Goran Hansson.

Pavarësisht rritjes së numrave, qeveria suedeze nuk e ka bërë të detyrueshme përdorimin e maskës në transportin publik.

Ish-epidemiologu kryesor i Suedisë ka paralajmëruar se vendi nuk është i përgatitur për valën e dytë të koronavirusit. /tvklan.al