Zemaj: Jemi në limite për të hyrë në zonën portokalli të rrezikut

Këta policë të Kosovës janë duke monitoruar nëse qytetarët e Prishtinës po mbajnë maskat si një ndër masat e parashikuara me ligj për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Me shtimin e rasteve, policia është edhe më rigoroze në shqiptimin e gjobave.

Prishtina prin me numrin më të madh të personave aktiv me Covid-19.

Gjatë një takimi që zhvilluan ministri i Shëndetësisë me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti u pajtuan që të mos të ketë karantinim të kryeqytetit.

Zemaj tha se do të marrin të gjitha masat e nevojshme, qoftë edhe kufizimet, por që një gjë e tillë nuk është bërë tani.

“Biseduam me kryetarin për menaxhim më të mirë të situatës, mbi të gjitha për një vigjilencë dhe një dinamikë të shtuar të mbikëqyrjes. Jemi në limitet për të hyrë në zonën portokalli, akoma jemi në zonën e gjelbërt, nuk duam që të kthehemi në të portokalltën e as në të kuqen”.

“Qëllimi i takimit është që të punojmë bashkë që të mos ketë restriksione shtesë, ne po mundohemi të mos ketë. Nuk do të lejojmë grumbullime sa i përket kafeve, po flas te kafet e rakisë ku në rrugë grumbullohen nga 200-300 vetë”.

Kosova aktualisht ka rreth 2500 raste aktive me Covid-19, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve me Covid është mbi 18 mijë. 

Tv Klan