Shkupi dhe Tetova, qytetet më të prekura

Autoritetet shëndetësore në vend njoftojnë për kufizime të mundshme nëse trendi i rritjes së infektimeve vazhdon edhe më tej. Shkupi dhe Tetova janë qytetet më të prekura nga Covid-19 me më së shumti raste aktive.

81 të infektuarit e djeshëm, e shtuan edhe më shumë shqetësimin, pasi ky trend është në rritje të vazhdueshme ditëve të fundit. Pas 81 rasteve të djeshme, numri i rasteve aktive ka arritur në 525.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, tha më herët se, edhe pse numri rritet, presion mbi spitale dhe ambulanca nuk ka. Në klinikën infektive mjekohen rreth 15 pacientë. Sipas Filipçes, është pritur një rritje e numrit të infektimeve pasi janë paraqitur disa mutacione të virusit dhe thotë se, lloji Delta nuk do të jetë i fundit.

Nga MSH thonë se për momentin situata është e qetë, por se është e mundur që trendi i rritjes së infektimeve të vazhdojë dhe se e gjithë situata po ndiqet. Autoritetet shëndetësore thonë se në bazë të pasqyrës epidemiologjike, do të bisedojnë për masat eventuale restriktive, sidomos për të pavaksinuarit. Ata shtojnë se do t’i ndjekin shembujt e disa shteteve për kufizime brenda hapësirave të mbyllura, njëkohësisht të kërkohet certifikatë vaksinimi.

Numri I përgjithshëm i të diagnostifikuarve më Covid-19 në vendin tonë nga i fillimi pandemisë është 156 380, numri i të shëruarve është 150 362 dhe 5493 viktima. Për momentin, më shumë raste aktive shënohen në Shkup, 171, pastaj në Tetovë, 135, Kumanovë, 59, e kështu me radhë.

Tv Klan