Shkak varianti Delta, turizmi dhe Euro 2020

Covid-19 po e rimerr veten në të gjithë Europën duke vënë në alarm autoritetet në shumë vende të kontinentit. E fundit që ndezi dritën e kuqe të alarmit është Franca ku varianti indian Delta zë tashmë mbi 50% të rasteve të të infektuarve të rinj duke u kthyer në faktor dominues në vend. Zyrtarë të lartë të shëndetësisë atje thanë se Delta mund të jetë 60% më infektues së virusi tradicional.

Një tjetër vend që po njeh rritje të infektimeve ditët e fundit është edhe Spanja ku incidenca e ka shkuar në 252 raste për 100 mijë banorë. Më të prekur si në Francë ashtu edhe në Spanjë janë të rinjtë që i përkasin moshës nga 12 në 29 vjeç. Përveç variantit Delta, shkaqet lidhen edhe me mosrespektimin e masave mbrojtëse në kushtet e hapjes së vendeve për shkak të turizmit, festave të të rinjve, por edhe grumbullimeve për shkak të ndeshjeve të Euro 2020. I njëjti fenomen po vihet re edhe në Vendet e Ulëta dhe Portugali.

Varianti Delta është kthyer dominues në Britaninë e Madhe ku 99% e rasteve i përkasin këtij mutacioni. Rusia vendosi gjithashtu një tjetër rekord infektimesh me mbi 25 mijë e 700 raste të reja të premten, shifra më e lartë që prej 2 Janarit. 726 persona humbën jetën në 24 orë. Për shkak të rritjes së ndjeshme të infektimeve Sidnei në Australi riktheu karantinën totale duke mos lejuar 5 milionë persona të dalin nga shtëpitë. Autoritetet vijojnë të bëjnë apel për vaksinim si e vetmja mënyrë për tu mbrojtur edhe nga variantet e reja.

Tv Klan