INSTAT: Ndërtuesit po shpenzojnë për energji, paga e materiale

Rritja e kostove të ndërtimit nuk janë ndalur edhe përgjatë muajit Nëntor. Të dhënat e Institutit të Statistikave flasin për një rritje të tyre me 4.2%, të ndikuara kryesisht prej çmimit të energjisë elektrike me 6.6%, rritjes së pagave me 4.8%, kjo për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe strategjisë së ndjekur për të mbajtur punonjësit duke përmirësuar raportin me pagat. Kosto të shtuara gjithashtu raportohen edhe nga transporti 4.1%, e në fund janë shpenzimet për makineri me 2%.

Kjo pritet të ndikojë në rritjen e çmimeve nga ndërtuesit, çka është paralajmëruar edhe në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, në të cilin ky sektor priste një shtrenjtim edhe për tre muajit e ardhshëm.

Ndonëse kërkesa nuk duket se premton shumë, kompanitë e ndërtimit nuk tërhiqen, pasi Instituti i Statistikave raportoi më herët se në 9 muajt e këtij viti janë dhënë gjithsej 1299 leje ndërtimi, 294 më shume se vitin e kaluar.

Vetëm në vitin 2022, çmimet e apartamenteve u rritën me 40%, sipas Bankës së Shqipërisë. Ndërsa këtë vit, çmimet për herë të parë pas disa vitesh kanë qëndruar në vend.

Tv Klan