“Policia e Shtetit e ka cilësuar protestën e opozitës si të paligjshme, por mbrëmjen e së hënës ka marrë masa për mbrojtjen e parlamentit. Pranë Sheshit të Kuvendit, ku është lajmëruar edhe protesta e së martës janë vendosur barriera metalike, që do të pengojnë hyrjen e protestuesve në parlament.”

Më herët gjatë ditës së hënë, në ambientet përreth parlamentit u instaluan kamera me rezolucion të lartë, për të bërë të mundur identifikimin e personave që mund të shkaktojnë dhunë.

Të martën e kaluar, protestuesit e opozitës u përplasën me policinë, teksa tentuan të futen në Kuvend dhe në disa raste sulmuan deputetë e ministra. Disa protestues u proceduan penalisht.

Opozita ka paralajmëruar sërish protestë në të njëjtin shesh, por policia ka nuk dhënë leje. Palët janë përfshirë në replika nëpërmjet deklaratave, secila prej tyre duke përmendur ligjin.

Opozita i referohet nenit 47 të Kushtetutës, i cili thotë se “Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar. I njëjti nen, në piken 2 saktëson se “Tubimet paqësore në sheshe dhe në vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara me ligj.”

Dhe procedurat parashikohen në ligjin për tubimet, të cilit i referohet policia, konkretisht nenit 8 të tij.

“Kur ka arsye të motivuar se zhvillimi i një tubimi në një shesh ose vendkalim publik përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit ose të moralit ose mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve dhe ky rrezik nuk mund të ndalohet me masa më pak shtrënguese, shefi i komisariatit të policisë mund të ndalojë zhvillimin e tubimit ose të vendosë për kohën dhe vendin e zhvillimit të tubimit”.

Kjo është arsyeja që policia i kërkon opozitës që ta zhvendosë protestën në një zonë tjetër ku nuk cënohet rendi dhe siguria.

Partia Demokratike thotë se në asnjë prej protestave të saj nuk është dëmtuar ndonjë polic. Por aktet e dhunës nuk munguan në të dy protestat e saj të fundit, atë para Kryeministrisë dhe atë para parlamentit, ku u hodhën shashka e sende të forta drejt uniformave blu dhe policia u përgjigj me gaz lotsjellës. Forca të shumta policie pritet të angazhohen edhe të martën për të garantuar sigurinë e parlamentit dhe deputetëve.

Tv Klan