Rama: Protesta, kapriço. Kanë mundësi të rrisin të ardhurat

Qeveria ka vendosur ta dëgjojë pjesërisht kërkesat e pedagogëve protestuese për rritjen e pagave.

“Pagat e pedagogëve të rriten deri në 15% ku 7% do të  mbulohet nga buxheti i shtetit. Pjesa tjetër do të  mbulohet nga vetë universitetet në varësi të të ardhurave të tyre”, njoftoi ministrja Kushi.

Kryeministri ndërkohë që vendimi po miratohet nga ministrat e tij në godinën qeveritare, në një aktivitetet në Universitetin Bujqësor me pedagogë e studentë, bëri të qartë përse sipas tij, kërkesa e atyre pedagogëve që protestojnë është kapriço, jo vetëm për shkak të krizës ekonomike, por dhe për shkak se universitetet janë autonome.

“Atyre që dalin në rrugë dhe le të dalin se janë në të drejtën e tyre dhe kërkojnë rritje pagash opshe, është kundërsens dhe absurde që të kërkohet qiqra në hell në raport me kohën që jetojmë. Nga qeveria, gjëra të cilat duhet të jenë të ndara së  bashku se përndryshe për çfarë është autonomia?

Rama mendon se, ndryshe nga kategoritë e tjera që nga 1 Tetori kanë përfituar rritje rroge e pensioni, pedagogët kanë mundësi të shumta për të rritur të ardhurat e tyre, siç janë fondet e huaja apo dhe ato qeveritare, që mund të përvetësojnë duke ofruar shërbime konsulence.

“Të vazhdojmë të thellojmë atë Paktin për Universitetin ku institucionet qendrore t’i drejtohen universitetit  për të marrë shërbime mendjeje. Ata pedagogë të cilët hyjnë në këtë proces marrin të ardhurat e tyre, pse t’i marrin studiot e konsulencës?”

Si model për t’u ndjekur ai merr Universitetin Bujqësor, që është bërë pjesë e skemës kombëtare të Trajnimit në Bujqësi, i pari që zhvillohet në shkallë vendi nga i cili përfitojnë1800 fermerë. Kurset e trajnimit do të zhvillohen në bashkëpunim me pedagogë e specialistë të Universitetit Bujqësor.

Tv Klan