Qeveria miraton vendimin, efekti në buxhet 21 milionë USD

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin i cili indekson pensionet për të gjitha kategoritë me 2.3%.

Vendimi hyn në fuqi duke nisur nga muaji Prill, çka bën që mbi 680 mijë persona të përfitojnë rritje të pensionit të tyre.

Vendimi është marrë në bazë të politikave të qeverisë për indeksimin e pensioneve, por siç sqaron Ministria e Financave dhe Ekonomisë,inflacioni gjatë vitit të shkuar ishte 1.4%, ndërsa rritja është bërë duke patur parasysh ndryshimet në çmimet e shportës së ushqimeve, e cila ka rezultuar afër nivelit 2.3%.

“Kjo masë edhe pse merret në një situatë të veçantë, është një përpjekje e qeverisë për të mbuluar sa më mirë nevojat ekonomike të kësaj shtrese të popullatës”.

Në vendimin e miratuar, rritje me 2,3%  përveç pensionistëve në fshat dhe atyre që marrin pension shtetëror, do të përfitojnë edhe 12 mijë nëna që marrin pagesën e barrëlindjes, të cilat janë të deklaruara si të vetëpunësuara në sektorin bujqësor.

Rritje përfitojnë edhe pensionet e invaliditetit, pensionet e naftëtarëve, minatorëve, ish-policëve e ushtrakave dhe pensionet familjare.

Pensioni minimal rritet me 316 Lekë në muaj, ndërsa ai maksimal me 632 lekë në muaj. Efekti në buxhet nga kjo masë është 21 milionë Dollarë.

Tv Klan