Rriten me 34% infektimet në Maqedoninë e Veriut




Rriten me 34% infektimet në Maqedoninë e Veriut

19:20 18/01/2022

Shënohen 1247 raste riinfektimi me Covid-19

Sipas raportit javor të Institutit për Shëndet Publik, për periudhën nga 10 deri 16 Janar, njoftohet se janë regjistruar 11.123 raste të reja pozitive me COVID-19, apo 33.9% më shumë në krahasim me javën paraprake.

Pjesa më e madhe e rasteve, apo 50.6% janë regjistruar në Shkup, kurse incidenca më e lartë javore shënohet në Krushevë dhe Manastir me mbi një mijë infektime në 100.000 banorë.

Më e prekur ka qenë grupmosha nga 30 deri 39 vjeç. Autoritetet e shëndetësisë njoftojnë se gjatë javës së kaluar janë paraqitur 1.247 riinfektime, me rritje prej 31.8% në krahasim me javën paraprake. Nga fillimi I pandemisë janë regjistruar 3.380 riinfektime apo 1.4% e numrit të përgjithshëm të infektuarve.

Janë shënuar 55 raste të vdekjeve në 15 qytete me rritje prej 34.1% në krahasim me javën e kaluar. Pjesa më e madhe, apo 22, janë shënuar në Shkup dhe tek grupmosha mbi 60 vjeç.

ISHP-ja njofton se në laboratorin për virusologji dhe diagnostikë molekulare, në periudhën nga 10 deri më 15 Janar, nga 96 mostra pozitive të SARS-CoV-2, tek 57 prej tyre apo 59.4%, është detektuar variantin “Omicron”. Ky lloj virusi është zbuluar në shtatë qytete; Shkup, Kavadar, Tetovë, Ohër, Koçanë, Veles dhe Gjevgjeli.

Për momentin nëpër spitalet e vendit janë të hospitalizuar 439 pacientë, 25.1% më shumë se sa në javën paraprake, kurse 251 prej tyre janë me oksigjeno-terapi dhe 26 në ventilim mekanik.

Lidhur me simptomat që janë paraqitur tek të infektuarit, 59.3% të rasteve kanë të bëjnë me temperaturë, 44.8% kollitje dhe 43.5% plogështi. Regjistrohen 62.107 raste asimptomatike.

Deri më 16 Janar janë shënuar 245.398 raste me COVID-19, 220.886 evidentohen si të shëruar dhe 8.115 viktima. Aktualisht janë 16.397 raste aktive.

Klan Macedonia











Të ngjashme