Kurti deklaron se do të dalë nga vetëizolimi

Ka filluar sërish të rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë. Vetëm dy ditët e fundjavës ishin 22 raste të reja, 8 të shtunën dhe 14 të dielën në mbrëmje. Një klinikë private gjinekologjike ishte vatër e re e infeksionit, nga ku është infektuar edhe një shtatzënë 30-vjeçare.

Ndërsa ka rezultuar negativ punonjësi i Ministrisë së Integrimeve Evropiane për shkak të së cilit ishin futur në vetëizolim Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Ministri në detyrë i Integrimeve, Blerim Reka, bashkë me stafet e kabineteve të tyre.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se Kryeministri në detyrë nesër do të dalë nga vetëizolimi. Në Klinikën Infektive është rritur në 21 numri i pacientëve që po trajtohen.

“Nga këta pacientë, 13 janë pozitivë në Covid-19 dhe 5 janë në oksigjenoterapi ndërsa tre prej tyre ende në pritje të rezultateve”.

Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, ka paralajmëruar se nëse vazhdon të rritet numri i të infektuarve do të rikthehen masat strikte, duke mos përjashtuar karantimin e Prishtinës.

“Duhet të respektohen këto rekomandime që të mos kthehemi në pikën 0, se prapë do të kemi karantinë, izolime dhe mbikëqyrje të policisë. Andaj nuk kemi nevojë se deri më tani është respektuar mirë”.

Ndërkohë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik vlerëson se akoma ekziston rreziku i përhapjes së virusit ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që pas lehtësimit të masave të jenë më të përgjegjshëm për shëndetin e tyre dhe familjarëve të tyre. 

Tv Klan