Në një javë u identifikuan 83 infektime

Java e dytë e Korrikut u mbyll pa asnjë humbje jete nga Covid-19, por rastet e reja shënuan një rritje të ndjeshme. Në periudhën 10  deri 17 Korrik numri i infektimeve ditore arriti totalin e 83 personave, 18 prej të cilëve u konfirmuan vetëm këtë të shtunë.

Për shkak të numrit të pakët të personave të shëruar, bie në sy edhe rritja e rasteve aktive. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë aktualisht janë 173 persona të infektuar aktiv në 10 qarqe të vendit, prej të cilëve 5 ndodhen në Spitalin Infektiv për një trajtim mjekësor më të specializuar.

Të vetmet qarqe që nuk kanë asnjë të infektuar aktiv në territorin e tyre janë Dibra dhe Berati.

Një ditë më parë ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur se nga e hëna nis java e vaksinimit të hapur për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç, që mund të paraqiten me kartën e identitetit në pikën më të afërt të vaksinimit.

Tv Klan