Manastirliu: Rimbursim 100% për trajtimin ambulator

Mjekët e familjes po përballen çdo ditë me raste të reja të personave të prekur nga koronavirusi. Kjo iu bë e ditur edhe Ministres së Shëndetësisë, gjatë vizitës në Qendrën Shëndetësore Numër 4.

Teksa kërkoi prej mjekëve të familjes që të ndjekin me përparësi edhe çdo rast të dyshuar, Manastirliu bëri me dije se dy paketat do të lehtësojnë të prekurit nga kostot financiare.

“Janë dy skema mjekimi që do të rimbursohen 100% falas, me një financim prej 1.2 miliardë lekë nga qeveria shqiptare. Në mënyrë që të kemi mundësi, e para që të lehtësojmë familjet duke i rimbursuar nga buxheti i shtetit, por edhe për të disiplinuar protokollet e trajtimeve, që është edhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Buxhetin për shëndetësinë në 2021, Manastriliu e konsideroi historik.

“Me miratimin e buxhetit për vitin tjetër, sektori shëndetësor do të ketë një financim historik, 23 % më shumë se viti 2020. Dhe kjo është me të vërtetë një mbështetje reale për punën e madhe që bëjnë mjekët dhe personeli shëndetësor dhe mbi të gjitha, financojmë mbështetjen për qytetarët qoftë për trajtimin e COVID19 por edhe patologjitë e tjera si dhe investimet për rritjen e kapaciteteve”.

Në kuadër të planit për përballimin e situatës vjeshtë-dimrin, qendrat shëndetësore vijojnë me vaksinimin ndaj gripit për të gjitha kategoritë e rrezikuara.

Tv Klan