Italia mbyll shkollat në disa rajone, Çekia rikthen karantinën

Infektimet në disa vende europiane po rriten sërish. Italia rikthen zonat e kuqe në rajonet jugore të Bazilikatës e Molises, në të cilat aplikohen masat më të ashpra kundër përhapjes së koronavirusit me mbyllje të aktiviteteve jo-thelbësore. Përveçse në këto rajone, edhe në Abruzzo do të mbyllen shkollat duke nisur nga e hëna e 1 Marsit, për një periudhë që mbetet për t’u përcaktuar.

24-orëshin e fundit, Italia shënoi mbi 18 900 të infektuar. Nga e mërkura në këtë vend po shënohen mbi 15 mijë të infektuar dhe kulmi u arrit të Shtunën me mbi 20 mijë raste, teksa gjatë dy javëve të fundit mesatarja e infektimeve ka qenë në 12 mijë raste ditore.

Nga 1 Marsi edhe Çekia do të aplikojë një tjetër bllokadë kombëtare, duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve vetëm pranë zonave të banimit, mbylljen e institucioneve arsimore dhe aktiviteteve jo-thelbësore. Kapacitetet spitalore janë drejt ezaurimit në gjithë vendin. Çekia ka ndër nivelet më të larta të të prekurve në botë, 1 në 10 persona.

Franca vijon të kryesojë në Europë me numrin e të infektuarve. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e ashpërsimit të masave, nëse infektimet shtohen, por thonë se orari i shtetrrethimit po funksionon për të mbajtur situatën nën kontroll. Sipas tyre, mutacioni britanik është tashmë përgjegjës për pjesën më të madhe të infektimeve në vend.

Tv Klan