Siguria në godinën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara po shqyrtohet sërish pas sulmit të dytë vdekjeprurës ndaj Policisë së Kapitolit në më pak se tre muaj. Zyrtarët amerikanë përballen me vendime të vështira, ndërkohë që dëshirojnë ta mbajnë të hapur për publikun selinë e demokracisë amerikane.

Një ndër godinat më të njohura të vendit u sulmua për të dytën herë këtë vit. Oficeri i Policisë së Kapitolit, William Evans, vdiq javën e kaluar pasi një person përplasi makinën e tij me pengesat e betonit të ngritura për të mbrojtur Kapitolin pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Ajo çfarë funksionoi ishte se makina u ndal, personit iu kufizua qasja dhe policia ishte në gjendje të përgjigjej në një mënyrë që neutralizoi rrezikun për ata që ndodheshin në Kapitol”, thotë Rick “Ozzie” Nelson, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Por, ky sulm vjen më pak se tre muaj pasi një tjetër oficer i Policisë së Kapitolit humbi jetën gjatë trazirave të 6 janarit, kur mbështetësit e ish-Presidentit Trump u përpoqën të ndalin çertifikimin nga Kongresi të fitores së Joe Biden-it në zgjedhjet presidenciale, duke ngritur kështu pikëpyetje të reja për mbrojtjen e ligjvënësve të vendit.

Hapësirat për veprim nga forcat e Policisë së Kapitolit janë të pakta. Rreth 2300 veta – 2 mijë oficerë dhe 300 civilë – për një mision që është jashtëzakonisht i gjerë dhe i madh”, thotë zoti Nelson.

Pas trazirave, mijëra forca të Gardës Kombëtare dhe dy rrathë me gardh të rëndë forcuan sigurinë përgjatë Kapitolit, duke e ndryshuar kështu atë që dikur ishte godina qeveritare me qasjen më të lehtë.

Demokracia duhet të jetë për qeverisjen e hapur. Nëse kemi gjithë këtë gardh dhe barrikada përreth Kapitolit, atëherë sugjerohet se qeveria nuk është e hapur”, thotë Carolyn Gallaher, Universiteti Amerikan.

Një analizë e sigurisë e qarkulluar muajin e fundit nga Gjeneral Lietnant Russel Honore rekomandon gardh të lëvizshëm të përhershëm dhe roje me kuaj përqark Kapitolit.

Duhet të sigurohemi që do të kemi aftësinë të mbrojmë Kapitolin, të forcojmë masat që rekomandohen në raportin e Gjeneralit Honore. Duhet të shqyrtojmë se si u zhvilluan gjërat”, tha Ligjvënësi demokrat Tim Ryan.

Rrethimi përqark Kapitolit ka ngjallur debat të ashpër për qasjen tek Shtëpia e Popullit, siç është quajtur. Ligjvënësit demokratë mbështesin procedurat e shtuara të sigurisë, ndërsa ligjvënësit republikanë kërkojnë që rrethimi të hiqet krejtësisht.

Analistët thonë se debati reflekton ndasitë partiake për rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe trazirat që pasuan.

Pamja në të vërtetë tregon se diçka e ndryshme po ndodh tashmë në Shtetet e Bashkuara”, thotë zonja Gallaher.

Trazirat e 6 janarit ishin sulmi më i rëndë ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara në gati 2 shekuj dhe pritet t’i nënshtrohen një analize të plotë nga Kongresi brenda këtij viti./VOA