48.5 miliardë Lekë më shumë se sa 2022

Shtohen të ardhurat në buxhetin e shtetit. 425 miliardë Lekë janë arkëtuar nga Janari deri në Gusht, ose thënë ndryshe 48.5 miliardë Lekë më shumë sesa vjet për po të njëjtën periudhë.

Të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë tregojnë se rritja e të ardhurave është udhëhequr nga taksat mbi pagën, fitimet e shtuara të bizneseve si dhe tatimi mbi të ardhurat personale.

Reforma e pagave ka bërë që gjatë këtij 8 mujori të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të shtohen me 13.6 miliardë Lekë.

Rritje të konsiderueshme ka edhe tek të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin, që arritën në 40.9 miliardë Lekë, 36% më shumë sesa 8 mujori i vjetshëm.

Ndërsa të ardhurat nga doganat në këtë tetë mujor kanë pësuar ulje. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, TVSH e mbledhur në import rezulton me 5.2 miliardë Lekë më pak sesa vjet.

Sa i takon shpenzimeve, edhe pse janë më të larta sesa vjet qeveria vijon të mbajë më shumë para të papërdorura në buxhet.

Nga rreth 8.07 miliardë Lekë suficit i planifikuar për këtë periudhë, niveli i tij arriti në rreth 47.8 miliardë Lekë.

Tv Klan