Besimi në ekonomi i biznesit dhe konsumatorit u rrit me 4.3% për 3 muajt e parë të këtij viti. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, motori kryesor i rritjes së këtij indeksi, pas një rënie që pësoi në fund të 2018-s, ishte sektori i ndërtimit.

Aktiviteti ndërtues u rrit me 9%, ndërsa porositë për të blerë apartamente u zgjeruan me 6.7%. Megjithatë gjendja financiare e degëve kryesore të ekonomisë është nën mesataren historike.

Kështu tregtia, edhe pse në përmirësim nga një tremujor më parë, ka një indeks negativ prej -11.4 % të situatës financiare për këtë periudhë. Pritshmëritë për shtimin e punësimit shënuan rritje, ndërsa gjendja ekonomike për periudhën që vjen pati një prirje rënëse në këtë indeks.

Industria ka ulur besimin në ekonomi përgjatë këtij viti. Shkaqet kryesore që rendit vrojtimi i Bankës Qendrore lidhen me rënien e kontratave porositëse, gjendjes së inventarëve dhe uljes së kërkesës për blerje nga jashtë vendit.

Ndërsa besimi i konsumatorit ka patur një prirje më të mirë se në muajt e mëparshëm referuar blerjeve të mëdha, edhe pse negativ në -54%. Indeksi i besimit të konsumatorit u përmirësua me 3.2 pikë përqindje këtë periudhë, ndërsa ka shfaqur pesimizëm lidhur me tendencën rritëse të çmimeve.

Tv Klan