Amerika sërish ka shënuar për pestën ditë radhazi një tjetër bilanc tragjik. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 2535 pacientë, duke kapur totalin e përgjithshëm në 37175 vdekje.

Po ashtu problematike mbetet edhe numri i të infektuarve, që deri më tani ka shkuar në 710 mijë infektime në të gjithë Amerikën.

Por presidenti Donald Trump vazhdon të shprehë optimizmin e tij duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë shumë afër dritës jeshile. 

Sipas Trump, në SHBA do të ketë rreth 60-65 mijë vdekje prej koronavirusit, shumë më pak seç pritej, duke kujtuar se vlerësimet paraprake ishin nga 100 mijë deri 240 mijë të vdekur.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott njoftoi se do nxjerrë një urdhër të ri për rihapjen e shtetit duke filluar nga 22 Prilli urdhër që parashikon distancimin social, mbajtjen e maskës dhe jo grumbullim në grupe me mbi 50 persona. Gjithashtu shkollat do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Në Florida do të lejohen të rihapen plazhet dhe parqet me orare të reduktuara, ku nuk do të ketë grumbullime të mëdha.

Po ashtu edhe guvernatori republikan i Misisipit Tate Reeves ka deklaruar se do të shtyjë me një javë urdhrin për të qëndruar në shtëpi, ndërsa do të lehtësojë disa kufizime në fillim të javës tjetër.

Plazhet dhe liqenet do të rihapen të hënën, ndërsa bizneset që tregtojnë mallra jo thelbësore do të mund t’i shesin ato online.

Në krahasim me vendet e tjera Nju Jorku dhe gjashtë shtete të tjera në verilindje të vendit e zgjatën afatin e urdhrave të qëndrimit në shtëpi deri më 15 Maj, për shkak të numrit të lartë të viktimave dhe infektimeve.

Po këtë plan të Trump e kanë kundërshtuar demokratët dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, duke u shprehur se kjo gjë do të rrezikojë jetën e qytetarëve në kohën kur ende nuk ka një vaksinë në treg dhe kur Presidenti amerikan nuk po urdhëron kryerjen e testimeve në masë.

Klan Plus