Ministrja e Ekonomisë: Mund të rritet edhe energjia

Rritjeve të çmimeve të produkteve duket se nuk po i shpëton as Kosova. Pas rritjes së çmimeve të naftës, disa kompani private kanë nisur të rrisin edh çmimin e biletave, njëjtë siç po ndodh me çmimet e bukës.

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka bërë të ditur se nuk ka ndonjë vendim për rritje të çmimeve nga kjo shoqatë, por kjo po ndodh individualisht nga disa kompani private.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se pandemia ka bërë që bota të ballafaqohet me krizë ekonomike duke mos e anashkaluar as Kosovën. Sipas tij edhe ndërrimi i Qeverive  e ka vështirësuar situatën duke bërë që të ketë rritje të çmimeve të produkteve.

“Si ekspert kemi paralajmëruar se pas pandemisë Covid-19 bota do të ballafaqohet me një krizë ekonomike dhe falë një globalizmi që është duke e dominuar botën dhe Kosova nuk mund të jetë e anashkaluar në këtë drejtim. Në Kosovë e kemi një kampanjë politike e cila po zgjat që nga fillimi i pandemisë. E them këtë bazuar në faktin që kemi pasur dy palë zgjedhje, tri qeveri dhe kjo e vështirëson situatën në Kosovë. Është parë një rritje e çmimeve të produkteve strategjike”.

Sipas tij agjenda politike po dominon në Kosovë, në vend se të merremi me ekonomi.  

“Energjia dhe burimet energjetike do të jenë të përdorura për mekanizëm si projeksion dhe e tëra kjo do të ndikojë që edhe në Kosovë të kemi ngritje të çmimeve. Vetë fakti që Kosova eksporton para të gatshme dhe është shoqëri e varur nga importi do ta ketë shumë më të vështirë dhe për vetë faktin që agjenda politike po dominon në Kosovë dhe ekonomia po anashkalohet besoj qytetarët do ta kenë shumë më të vështirë”.

Ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli në një debat ka lënë të hapur mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike vitin e ardhshëm.

“Sa më shumë që importojmë kjo do të reflektohet në tarifa gjatë vitit vijues. Të kursejmë energji, gjatë vitit tjetër do të ketë ndikim, tarifat rishikohen në prill, t’i ikim ngrohjes me energji gjatë këtij dimri”.

Në bazë të rritjes dy mujore, çmimet botërore të ushqimit në shtator arritën mesataren e tyre më të lartë mujore që nga tetori i vitit 2011.

Tv Klan