Qeveria shton 90 milionë Euro nga fondet e saj

Qeveria ka rritur me 90 milionë Euro nga shpenzimet e saj fondin për rindërtimin e banesave që u dëmtuan nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Në aktin normativ i cili ndryshon për herë të tretë buxhetin e këtij viti, Këshilli i Ministrave ka vendosur të çojë në 275 milionë euro në total shpenzimet për rindërtimin, nga 160 milionë që programoheshin në fillim të vitit.

24 milionë euro kanë hyrë në buxhet si grante dhe donacione që shtete dhe organizata ndërkombëtare dhanë në solidaritet me ngjarjen.

Jo të gjithë donacionet janë në para, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara do të financojnë ndërtimin e banesave në disa bashki të prekura, por sërish shumica e donacioneve të premtuara nga vendet partnere për rindërtimin nuk janë disbursuar ende.

115 milionë eurot të Komisionit Europian ende nuk janë bërë aktive, ndërsa Kuvendi ende nuk ka ratifikuar asnjë marrëveshje huaje me institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat ofruan në total 885 milionë euro kredi të buta.

Në konferencën e donatorëve në shkurt të këtij viti Shqipërisë iu premtuan 1 miliard e 150 milionë euro, 295 milionë prej të cilave grante.

Tv Klan