Normat e bonove të thesarit 1-vjeçare u dyfishuan

Interesi i bonove të thesarit me afat 1-vjeçar është dyfishuar krahasuar me një vit më parë. Në ankandin e javës së parë të muajit Maj që zhvilloi Banka e Shqipërisë për llogari të borxhit të qeverisë në tregun e brendshëm, për shumën 10.7 miliardë Lekë, investitorët ofruan një interes prej 2.25% , ndërsa një vit më parë për të njëjtën shumë kanë ofruar interes 1.2%.

Ekspertët e ekonomisë e lidhin këtë tendencë të ndikuar nga situata e pandemisë së Covid-19, ku edhe pse investitorët kanë ofruar para për qeverinë më shumë se është kërkuar, perceptojnë nevojë të rritjes së kërkesës së saj për hua përsa kohë defiçiti është i lartë.

Interesi i bonove të emetuara është më i lartë edhe se ai i muajit Mars, kohë kur Banka e Shqipërisë uli me 0.5% interesin e Lekut, e cila pritej të ulte dhe interesat e bonove që emeton qeveria.

Për ekspertët e ekonomisë, rritja e lehtë e interesave për borxhin e brendshëm do të jetë e përkohshme, ndërsa thonë se aktualisht situata në tregjet globale ka ndryshuar, dhe se emetimi i eurobondit këtë vit do të ketë kosto më të larta se ai që Shqipëria mori në 2018.

Pavarësisht situatës së pandemisë, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të borxhit, Moody’s, e ka mbajtur të pandryshuar vlerësimin e borxhit të Shqipërisë në klasifikimin B1, si të qëndrueshëm.

Tv Klan