Rritet konsumi në muajin Prill, të ardhurat në buxhet më lart edhe se 2019



Rritet konsumi në muajin Prill, të ardhurat në buxhet më lart edhe se 2019

16:07 17/05/2021

Qeveria lëshon dorën me shpenzimet, fokusi në rindërtim dhe vepra publike

Konsumi privat duket se i është rikthyer niveleve të para krizës së pandemisë, ku për të dytin muaj rresht, të ardhurat nga taksat në buxhetin e shtetit kanë shënuar rritje me 200 milionë dollarë më shumë, krahasuar me Janar-Prillin e një viti më parë, dhe me 30 milionë plus mbi vitin 2019-n.

Sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave, të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar arritën në fund të Prillit në 520 milionë dollarë, duke shënuar një nivel 18% më të lartë edhe se në 2019-n.

Sinjalet për një ringritje të ekonomisë i kanë dhënë të gjithë indikatorët që tregojnë nivelin e konsumit: akcizat, taksat nacionale dhe sigurimet shoqërore, por niveli i tatim-fitimit të biznesit dhe i mbledhjes së taksave nga të ardhurat personale është shfaqur i dobët, duke pasqyruar periudhën e vështirë të një viti më parë.

Prilli ka shënuar edhe muajin me nivelin më të lartë deri më tani të shpenzimeve të qeverisë, si për paga e pensione, ashtu edhe për fondet e veprave publike.

Në total zëri i shpenzimeve kapitale u rrit me 65 milionë dollarë vetëm muajin e shkuar, ndërsa fondi i rindërtimit kapi nivelin më të lartë të disbursimit në dy vjet: 68 milionë dollarë në total dhe rritje me 2.3 herë nga marsi në Prill.

Ritme të larta kanë patur edhe për pagesat e ndihmës ekonomike të cilat arritën në 76 milionë dollarë, ndërsa pagesat e papunësisë u ulën duke dhënë sinjale për rigjallërim të tregut të punës.

Situata e mbajtjes lart të nivelit të shpenzimeve ka bërë që deficiti të jetë në të njëjtat nivele me një vit më parë, afro 145 milionë dollarë.

Tv Klan







Të ngjashme