Rreth 2 milionë shtetas e kanë vizituar Shqipërinë përgjatë muajit Qershor të këtij viti. Të dhënat nga Instituti i Statistikave bëjnë me dije se ky tregues rezulton me një rritje prej 21.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që nga kjo shifër 1.3 milionë e totalit janë shtetas të huaj.

Rritje gjithashtu në masën 20% ka pësuar edhe numri i qytetarëve që kanë zgjedhur të dalin nga territori shqiptar përgjatë kësaj periudhe, të cilët tejkalojnë shifrën e 1.7 mln qytetarëve. Shtetasit shqiptarë përbëjnë 642.471 qytetarë, teksa pjesa tjetër janë shtetas të huaj.

Sa i takon gjeografisë së shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri, dominon rajoni i Evropës me 1.174.197 shtetas, pasuar nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, përkatësisht me 41.921 dhe 11.103 shtetas. Ata kanë deklaruar si arsye kryesore për të vizituar vendin tonë çështjet e biznesit, pushimet e vizitat tek të afërmit.

Tv Klan