Në mbledhjen e fundit të këshillit të ministrave u mor vendimi për rritjen e mesatares për të gjithë nxënësit që do të fitojnë të drejtën e studimit në vitin akademik 2019-2020.

Të gjithë gjimnazistët për t’u futur në universitet duhet të kenë një mesatare mbi 6.5, ndryshe nuk do të kenë të drejtën për të aplikuar për një nga degët e universitetit. Por nuk do të jenë të përjashtuar për të ndjekur ciklet e studimit profesional 2-vjeçar.

Sipas relacionit shpjegues, ky vendim synon rritjen e cilësisë së studentëve.

Nga rritja e mesatares për hyrjen në fakultet nuk kanë shpëtuar edhe ata që duan të ndjekin studimet për degën e mësuesisë. Nga 7 që ishte mesatarja për të fituar këtë degë, tashmë me vendim të Këshillit të Ministrave, mesatarja është 7.5. Por kjo nuk është rritja e vetme, pasi fitimi i të drejtës së studimit për degën e mësuesisë do të bëhet më e vështirë.

Për vitin akademik 2020-2021 nxënësit duhet ta kenë mesataren 8 për të konkurruar në këtë degë.

Nota mesatare për pranimin në shkollën e lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë dhe  notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

Tv Klan