Pas 50 vitesh, Haxhirja sjell në vemendje kujtimin e vëllait të ndjerë jo thjesht për veten e saj, por për t’i bërë surprizë dy personave më të dashur të jetës, e për të përcjellë emocione të mëdha. Një fotografi mund të ndryshojë buzëqeshjen e dikujt…

“Nga martesa e parë e babait, lindin tre djem. I pari ndërron jetë 6 vjeç, i dyti përsëri ndërron jetë 3 vjeç, i vogli ishte 3 vjec kur ndërron jetë bashkëshortja shtatzënë. U martua me nënën time shumë shpejt, sepse kishte djalin e vogël. Më vonë ikën një kushuri në Amerikë, komplet si fis u persekutuam. Të drejtë studimi nuk kishte asnjë. Vëllai ishte ekselent, i doli shkolla në Fier për agronomi dhe filloi punë një vit dhe pastaj nuk iu lejua të vazhdonte për shkak të historisë së familjes. Babai e martoi shpejt, nusen e morëm nga Peqini, atë vit linda edhe unë. Vëllai u sëmurë rëndë, ndërsa nëna shkonte çdo ditë në punë. Kur unë isha 3 vjeçe lindi mbesa. Në moshën 1 vjeçare të mbesës vdes vëllai. Babait i ikën 3 djemtë dhe bashkëshortja. Amaneti i vetëm i vëllait ishte shkollimi i vajzës. Nusja e vëllait që më rriti, iku bashkë me mbesën tek familja e saj. Më pas ajo u martua dhe babai shkonte tek mbesa për vizitë, madje dhe ata vinin tek ne. Sot kam thërritur dadën që më rriti, Lemen dhe mbesën, Hanme.

Haxhirja:

Dadë, më fal që të riktheva ato kujtime të trishtueshme, të jam mirënjohëse edhe që amanetin e vëllait e plotësove.

Hanme tregon se është rritur nga gjyshërit dhe kurrë nuk e kanë ndaluar të shkonte pranë familjes së babait biologjik, të cilin ajo e njeh shumë pak dhe thuajse nuk ka asnjë kujtim nga ai. Në studion e rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” shfaqet një mesazh nga një prej shokëve të babait të saj, i cili i premton se do mbledhin gjithë kujtimet që kanë nga babai dhe do t’ia prezantojnë edhe Hanmes.

Dada Leme dhe mbesa Hanme janë model i mirësisë dhe i dashurisë mes miqve e të afërmve, i atyre vlerave që sado që mund të pakësohen, nuk zhduken kurrë mes shqiptarëve. Haxhirja ndihet me fat që i ka dhe që plotësoi një ëndërr të hershme të mbesës, duke i gjetur foton e shumëkërkuar të të atit./tvklan.al