Nëntë klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të ashtuquajturat klinikat COVID, janë vënë në dispozicion për të prekurit me koronavirus.

Përveç Klinikës Infektive, Pulmologjisë, ajo e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv Qendror dhe asaj të Pediatrisë edhe Klinika e Internos, përfshirë pesë të tilla brenda saj, janë shndërruar në hapësira për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Derisa Qendra e Mjekësisë Sportive, me 101 shtretër, është në gatishmëri nëse ka nevojë.

Kurse gjatë verës kur vendi përballej me fluks të madh të të hospitalizuarve ishin shtatë klinika që përballeshin në luftën kundër virusit.

Veçse gjatë kësaj periudhe, numri i pacientëve është rritur dukshëm krahasuar me muajt e verës.

“Janë mbi 900 pacientë të hospitalizuar në kuadër të Qendrës Klinike Universitare dhe Spitaleve të Përgjithshme Rajonale e që paraqet një numër të rritur krahasuar me periudhën korrik-gusht ku shifra më e lartë ishte 625 pacientë të hospitalizuar”, ka deklaruar zëdhënësi i SHSKUK-së, Shpend Fazilu.

Në këtë luftë janë të përfshira edhe spitalet rajonale të cilat po ashtu i kanë zgjeruar kapacitetet e tyre./klankosova