Omicron dominon infektimet e reja me Covid

Në Maqedoninë e Veriut vala e variantit “Omicron” për 25% ka rritur numrin e të hospitalizuarve nëpër Covid-qendrat e vendit, shumica prej tyre janë me oksigjeno-terapi. Shqetësuese paraqitet rritja e madhe e numrit të fëmijëve të prekur deri në moshën 9-vjecare. Vetëm gjatë javës së kaluar janë sëmurë 267 fëmijë të kësaj moshe.

Në javën e fundit janë bërë 39.289 testime kurse mesatarja e rasteve pozitive është shumë e lartë, 29.1%. Edhe pse varianti “Omicron” që është dominues në vend, shkakton pasqyrë më të lehtë klinike dhe simptoma më të lehta, spitalet sërish po mbushen.

“Jemi afër përmbushjes së kapaciteteve spitalore. Kemi pacientë me gjendje të rëndë nga të dyja llojet edhe nga “Omicroni” edhe nga “delta”. Rreth 10 përqind e pacientëve të hospitalizuar janë persona të vaksinuar me rregull dhe ata janë njerëz të rritur me shumë komorbiditete.”

Gjatë javës së kaluar, sipas një raporti të ISHP-së, 1.559 persona për herë të dytë janë infektuar me COVID-19, një rritje kjo për 25% nga java paraprake. Deri tani 4.924 qytetarë për herë të dytë e kanë kaluar koronavirusin, kurse 13 të tjerë për herë të tretë.

Sipas epidemiologëve, në pasqyrës klinike të të prekurve dominon variant Omicron. Autoritetet e shëndetësisë thonë se simptomat më të shpeshta janë temperature, kollitja, plogështia, por një pjesë e madhe prej 38% janë raste asimptomatike. Simptomat paraqiten tri ditë pas kontaktit me personin e prekur. 

Tv Klan