3 pacientë në terapi intensive

Katërfishohen rastet e reja me koronavirus krahasuar me 3 ditët e para të kësaj jave, ku numri ditor i të infektuarve ishte 4.

“Në 24 orët të fundit janë testuar 191 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 18 qytetarë. 11 raste në Tiranë, 4 në Krujë, 2 në Berat dhe 1 në Durrës”.

Ekspertët thonë se kjo rritje e numrit të të infektuarve lidhet me mosrespektimin e masave të vendosura.

“Rastet e sotme pozitive janë tregues se funksionimi i strategjisë së rihapjes dhe e lehtësimit të masave varet vetëm nga ju. Nëse ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, do të vijojmë me një situatë epidemiologjike nën kontroll”.

Numri i total i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri që prej nisjes së pandemisë ka arritur në 898, por shumica e tyre janë shëruar.

“77% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz”.

Në 24 orët e fundit, në rritje ka ardhur edhe numri i pacientëve që kanë patur nevojë për terapi intensive.

“Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 19 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive. Me pak se 11% e te prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet Covid, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes”.

Ekspertët kanë apeluar sërish për kujdes të shtuar dhe respektim të masave të vendosura, si e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Tv Klan