Rusia mund të shndërrohet në vatrën e re të shpërthimit të epidemisë. Shifrat e 24 orëve të fundit flasin për mbi 2500 të infektuar të rinj, që e çojnë totalin e tyre në rreth 18 mijë. Që prej nisjes së pandemisë, ky vend nuk ka pasur kurrë një numër kaq të madh të infektuarish brenda një dite.

Në Moskë, Shën Petërburg dhe qytete të tjera të mëdha është ndaluar dalja nga shtëpitë dhe banorët duhet të marrin leje elektronike për të lëvizur. Kjo do të kryehet nëpërmjet një faqeje në internet ku do të aplikojnë ata që do të udhëtojnë me makinë ose transport publik.

Aktualisht rekordin për numrin më të lartë të viktimave dhe të të infektuarëve e mban Spanja, Italia, Franca dhe Britania e Madhe.

Spanja ndodhet në vendin e dytë të renditjes së pandemisë në botë pas SHBA. Autoritetet kanë raportuar një total rastesh të prekur nga koronavirusi prej 166.831 kurse numri i viktimave ka shkuar në mbi 17.200.

Për të pestën ditë në Spanjë ka patur ulje të numrit të viktimave dhe infeksioneve të reja. Edhe pse ritmi i epidemisë po pëson një ulje graduale, për autoritetet është e qartë se kriza nuk ka përfunduar.

Qeveria ka zgjatur përiudhën e emergjencës edhe me 14 ditë të tjera, deri në 25 Prill, ndërsa kufijtë tokësorë me Francën dhe Portugalinë do të mbeten të mbyllura deri në 3 Maj. Vetëm një pjesë e vogël e bizneseve dhe disa kompani janë rihapur, por ekspertët e shikojnë këtë gjë me shumë skepticizëm pasi është ende shumë herët.

Në Francë numri i vdekjeve dhe infeksioneve ka nisur rënien si rezultat i 4 javëve të izolimit. Numri i përgjithshëm i rasteve pozitive nga Covid-19 në Francë është 133.670, kurse numri total i viktimave ka shkuar në 14.412. Edhe në këtë shtet vetëm një pjesë e vogël e aktiviteteve janë rihapur.

Gjermania vijon të shënojë rritje të numrit të të prekurve nga koronavirusi. Në total numri i të prekurve me Covid-19 është 127.854, kurse numri i viktimave është rritur në 3022.

Italia shënoi në 24-orëshin e fundit 431 të vdekur më ulta që nga fillimi i pandemisë. Po ashtu edhe numri i të infektuarve në një ditë është i ulët ku raportuan vetëm 4000 raste, duke kapur totalin e 156 mijë infektimeve.

Globi aktualisht numëron afro 1.8 milionë të prekur dhe rreth 115 mijë viktima.

Klan Plus