Rritet numri i pacientëve në terapi intensive

Koronavirusi vijon të regjistrojë raste mes personelit shëndetësor në vend. Nga 20 persona të infektuar, 4 i përkasin sistemit shëndetësor.

“Janë kryer 297 testime nga të cilat janë konfirmuar 20 raste pozitive, përkatësisht, 15 raste në Tiranë, 2 raste në Krujë, 2 në Durrës, dhe 1 rast në Kamëz. Janë testuar 65 personel shëndetësor nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 4 raste”.

Në Shërbimin Infektiv, i cili shërben si spital Covid, numri i pacientëve ka rënë, por është rritur numri i atyre që janë në terapi intensive.

“Po trajtohen 21 të prekur, nga të cilët 5 janë në terapi intensive, njëri prej tyre është i intubuar. Rreth 8% e të prekurve aktivë po trajtohen në spital kurse pjesa tjetër po ndiqen nga mjekët e familjes”.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e çuar në 898 numrin e të shëruarve.

“Në vendin tonë janë 253 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë.Nga fillimi i epidemisë janë konfirmuar pozitivë 1184 raste”.

Ekspertët kërkojnë respektimin e rregullave të përcaktuara, si distanca, mbajtja e maskës, larja e duarve, si dhe shmangia e grumbullimeve masive, për të mos lejuar përhapjen e virusit në popullatë.

Tv Klan