37 pacientë qëndrojnë të shtruar në repartin e Infektivit

Shkon në 76 numri i personave te infektuar nga koronavirus në vendin tonë. Shifrat në kryeqytet vijojnë të rriten çdo ditë, duke zënë kështu peshën më të madhe sa i takon totalit të të prekurve nga ky virus.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 46 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19:- 5 qytetarë nga Tirana, kontakte të rasteve pozitive ,,- 1 qytetar nga Fieri, gjithashtu person kontakti. Nga totali i rasteve të konfirmuara, 59% janë meshkuj dhe 41% janë femra. Ndërsa shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

• Tiranë   55 qytetarë

• Durrës     5 qytetarë

• Lushnje   2 qytetarë

• Elbasan   2 qytetarë

• Fier           8 qytetarë

• Rrogozhinë   2 qytetarë

• Kavajë   2 qytetarë”.

Si pasojë e prekjes nga koronavirusi dy persona kanë humbur jetën ndërsa 37 të tjerë janë nën kujdesin mjekësor në shërbimin infektiv.

“4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”.

Pas 12 ditë qëndrimi në spital dy persona të infektuar nga pacienti zero në vendin tonë kanë rezultuar negativ në testin për COVID-19. Gjatë një komunikimi me Skype me Ministren e Shëndetësisë shefja e shërbimit infektiv Najada Çomo u shpreh se dy pacientët janë gati të lënë spitalin.

“Sot jemi shumë të gëzuar sepse kemi dy qytetarët që i kemi gati për t’i nxjerrë nga spitali. Gëzimi është dypalësh, edhe për ata vetë që u shëruan, dhe e dyta edhe për ne që na gëzon që puna e kryer deri tani na dha dy rastet e suksesshme. Sigurisht që kemi pritje edhe për punë më të mira, por të gjithë do të bëjmë maksimumin e mundshëm për t’u shërbyer deri në fund”, tha ajo.

Laborator i virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik vijon me testimin e rasteve të dyshuara për COVID-19.

Tv Klan