Autoritetet në Kinë kanë deklaruar zyrtarisht 139 raste të reja të të prekurve nga virusi i rrezikshëm që ka shpërthyer në vend. Pas qytetit Wuhan, ku u raportuan rastet e para, edhe Pekini ka raportuar dy raste. Në total, numri i të prekurve është mbi 200, ndërsa 3 pacientë kanë humbur jetën.

Zyrtarët në Kinë dhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë kanë arritur në përfundim se infeksioni është koronarovirus. Në rastin më të mirë, ky virus shkakton ftohje të zakonshme, por mund të çojë deri në humbje të jetës

Edhe shtete të tjera, në të cilat kanë udhëtuar qytetarë kinezë, kanë raportuar raste të të prekurve. Pas Tajlandës dhe Japonisë, edhe Koreja e Jugut ka konfirmuar një pacient të infektuar. Në disa aeroporte po kontrollohen të gjithë udhëtarët nga Kina, për të verifikuar nëse janë të infektuar.

Ky virus i rrezikshëm ka ngjallur kujtimet e virusit Sars në vitet 2000, me të cilin është shumë i ngjashëm, dhe që shkaktoi 774 të vdekur. /tvklan.al