Mjekët: Virusi nuk e ka ulur agresivitetin, të shtruarit të pavaksinuar
Covid-19 nuk e ka ulur agresivitetin. E teksa në vend po qarkullon gjerësisht mutacioni Delta, mjeku infeksionist Dhimitër Kraja, nga spitali Covid 1 thotë se ditët e fundit vihet re një rritje e numrit të të shtruarve në spital.
“Prej disa ditësh ndodhemi në një moment të tillë që në spitalin Covid 1 ka disa të dhëna të reja, nga pikëpamja statistikore ka një shtim të rasteve. Pra virusi qarkullon në Shqipëri ende, duke ruajtur infektueshmërnë e tij, për të kapur të pavaksinuar, ai ruan agresivitetin e tij. Të gjitha këto çojnë në një konkluzion logjik, duhet të vaksinohemi të gjithë”.
Mjeku Dhimitër Kraja thotë se të gjithë të shtruarit janë të pavaksinuar.
“Një karakteristikë e përbashkët epidemiologjike e këtyre rasteve është se të sëmurët janë të gjithë të pavaksinuar. Duhet të vaksinohemi në mënyrë të plotë, jo bëjmë dozën e parë dhe mos të bëjmë të dytën. E fundit është se veç vaksinimit që është detyra e të gjithë shqiptarëve, duhet të zbatojmë të gjitha masat e parandalimit të përhapjes së sëmundjes”.
Pas më shumë se një muaji pa asnjë viktimë në Shqipëri nga Covid, të mërkurën në vend u regjistrua edhe një një tjetër humbje jete. Specialistët e ISHP thonë se shumica e tamponëve pozitiv me Covid janë të prekur nga varianti Delta.
Tv Klan