Rritet numri i pacientëve në spitale

Prej dy javësh kurba epidemiologjike e koronavirusit në vendin tonë, sipas ekspertëve, ka qenë e qëndrueshme, pavarësisht luhatjes së rasteve të reja ditore me Covid. Por një indikator i rëndësishëm është numri i të shtruarve në spital, i cili ka pësuar rritje. Tre pacientë kanë patur nevojë për mjekim të specializuar, e po ashtu në rritje ka ardhur edhe numri i atyre në terapi intensive.

“Pas një situate të qëndrueshme dhe të stabilizuar të rasteve që kanë kërkuar shërbim spitalor, sot kemi një rritje të rasteve në spitalin infektiv. Aktualisht janë të shtruar 17 pacientë dhe 5 prej tyre janë në terapi intensive”.

Laboratori i Institutit të Shëndetit Publik ka analizuar 174 mostra të dyshuara për Covid-19, prej të cilave 12 kanë rezultuar pozitivë.

“7 raste në Tiranë, 2 në Fier, 2 në Krujë dhe 1 në Durrës. Të shëruar janë 6 qytetarë. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me Covid-19 në të gjithë vendin 981 qytetarë. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 173 persona aktivë me Covid-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër”.

Tirana, Durrësi, Shkodra, Kurbini e Kruja janë zona të kuqe për shkak të riskut të përhapjes së koronavirusit, për pasojë kufizimi i lëvizjes në këto zona është deri në orën 21:00. Në pjesën tjetër të vendit e konsideruar e gjelbër nuk ka asnjë kufizim në lëvizje, por ekspertët e shëndetësisë kërkojnë nga të gjithë qytetarët respektim të masave të higjienës dhe distancimit fizik, si e vetmja mënyrë për të mos u infektuar për përhapur koronavirusin.

Tv Klan