Shqipëria do të pres një numër më të lartë turistësh në krahasim me vitin e kaluar, nisur nga fluksi i lartë i hyrjeve në pikat kufitare pas çeljes së sezonit turistik. 

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, e shoqëruar dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli ka inspektuar nga afër pikën kufitare të Qafë-Botës, nga ku tha se autoritetet kanë marrë të gjitha masat për të mirëpritur turistët.

“Shifrat praktikisht rezultojnë të jenë shumë më të larta se vitin e kaluar, por masat janë marrë që të ketë një koordinim të rregullt midis policisë së kufirit, ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, doganës me qëllim që të mos kemi asnjë lloj episodi të pakëndshëm. Është pjesë e kartëvizitës dhe mikpritjes së turizmit shqiptar.”

Kumbaro tha se dhe investimet në infrastrukturë në këtë zonë, kanë ndikuar në lehtësimin e fluksit të turistëve.

“Hapja e rrugës Kardhiq-Delvinë ka ndikuar shumë për shkurtimin e distancave dhe bën që nga një pikë kufitare, të kalohet nga Saranda në Gjirokastër shumë më lehtë.”

Ministrja mbolli pemë në këtë pikë kufitare, tashmë një traditë e qeverisë, teksa pati dhe një urim.

“Nuk do thoja sa më shumë turistë, por do thoja shërbim sa më të mirë për ata turistë që vijnë.”

Për vitin 2022, nga pika kufitare e Qafë Botës kanë hyrë 108 mijë vizitorë të huaj. Gjatë muajve janar-prill 2023, në Shqipëri kanë hyrë rreth 1,7 milionë vizitorë të huaj, ose 57% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Klan News