Hidhen dyshime se Pekini fsheu numrin e viktimave

Edhe pse një muaj më parë u shpall fitorja ndaj epidemisë së koronavirusit, në Kinë ka patur një tjetër rëndim të bilancit të viktimave. Zyrtarët e këtij vendi i shtuan bilancit të deritanishëm, emrat e afro 1300 personave, duke e rritur me 50% numrin e të vdekurve nga COVID-19.

Shifra e përgjithshme e tyre arrin në mbi 4600, ndërsa numri i të prekurve është mbi 82 mijë, duke e renditur Kinën, vatrën e pandemisë globale, të 7-ën në botë.

Autoritetet në Kinë thanë se rritja e numrit erdhi pas përfshirjen në bilanc edhe të disa rasteve të vdekjeve nga COVID-19, të cilat ishin zbuluar kohët e fundit nëpër banesa të ndryshme në Ëuhan. Trupat e tyre iu nënshtruan analizave që treguan se shkak i vdekjeve ishte koronavirusi.

Rishikimi i numrit të viktimave ka ngjallur dyshime mbi vërtetësinë e shifrave të servirura deri më tani nga Partia Komuniste për opinionin publik ndërkombëtar, që bënë që disa vende ta shihnin Kinën si model në menaxhimin tepër të suksesshëm me vënien brenda një kohe të shkurtër nën kontroll të situatës, duke mos lejuar që numri i viktimave dhe të prekurve të rritej aq sa në vendet perëndimore, disa prej të cilave i morën me vonesë masat e bllokimit.

Presidenti francez Emmanuel Macron u rendit mes zërave skeptikë ndaj Pekinit. Sipas tij, një rritje kaq e lartë e numrit të viktimave tregon se shifrat e servirura deri më tani nga ky vend mund të jenë të pavërteta. Macron shtoi se nuk mund të bëhen krahasime mes shoqërive të hapura të vendeve demokratike perëndimore dhe atyre vendeve që e shtypin të vërtetën. Franca numëron aktualisht afro 20 mijë të vdekur nga 185 mijë të prekur në total.

Zyrtarët gjermane të shëndetësisë thanë se ditët e fundit është shënuar një numër tepër i ulët infektimesh të reja çka tregon se tashmë pandemia është nën kontroll në këtë vend. Gjermania ka një vdekshmëri rreth 1.5% nga koronavirusi, niveli më i ulët në botë.

Aktualisht përhapja më problematike është në Shtetet e Bashkuara që kanë mbi çerekun e të prekurve në shkallë globale edhe pse tashmë numri i infektimeve dhe viktimave të reja ka nisur të bjerë. Pandemia është vënë nën kontroll edhe në Spanjë e Itali.

Globi numëron rreth 2.2 milionë të prekur dhe mbi 147 mijë viktima. Çereku i të prekurve në shkallë globale janë shëruar.

Tv Klan