Shkon në 277 numri i të prekurve në total

Koronavirusi ka shënuar një tjetër viktimë, duke e çuar në 16 numrin e jetëve të humbura, që prej nisjes së përhapjes së virusit në Shqipëri.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient 78- vjeçar nga Durrësi i konfirmuar me COVID-19. 78-vjeçari ishte në gjendje të rëndë, i intubuar prej 3 ditësh dhe pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë”.

Në 24 orët e fundit ne laboratorin  e Institutit të Shëndetit Publik janë realizuar  96  testime, prej te cilave 18 kanë rezultuar positive për koronavirus.

“Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 277 raste, nga të cilët vetëm 8 janë femijë. Mosha mesatare e rasteve pozitve me COVID-19 është 50 vjeç. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë, Has, Elbasan, Shkodër dhe Pukë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit”.

Rritje ka pësuar edhe numri i personave të shtruar në shërbimin infektiv.

“Aktualisht janë 81 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi 1 pacient të shtruar”.

Analizat për COVID-19 për 9 pacientë kanë rezultuar negativë, duke e çuar në 76 numrin e personave të shëruar nga ky virus.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.

Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të telefonojnë në numrin 0800 40 40 për përfitimin e barnave me rimbursim dhe çdo pyetje për COVID-19 ndërsa në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 duhet të telefonojnë nëse dyshojnë se kanë shenja të COVID-19.

Tv Klan