Gjermania ka pësuar një rritje të numrit të të prekurve me koronavirus përgjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në total në 42,288. Numri i viktimave është rritur nga 55 në 253. Kancelarja Angela Merkel bëri apel për durim në luftën kundër pandemisë, duke refuzuar thirrjet për një zbutje të masave shtrënguese që u vendosën nëpër disa shtete këtë javë.

Në Francë, Kryeministri Edouard Philippe tha se pandemia që nisi në lindje, tani ka mbërritur në rajonin e Parisit. Spitalet mund të arrijnë pikun nëpër kryeqytetin francez brenda 48 orëve të ardhshme. Rreth 1.2 milionë banorë janë largua nga kjo zonë përgjatë javës së shkuar. Ndërkohë, zyrtarët njoftuan të enjten në mbrëmje se numri i viktimave në Francë ka shkuar në 1,696, përfshirë 365 në 24 orët e fundit.

Ndërsa në Itali, krimi në qytetet e braktisura është rritur me 64 përqind në Mars, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Brendshëm atje, i cili tha se në rritje është krimi kompjuterik. Sipas një raporti të ri të Europol kriminelët po fokusohen tashmë tek pajisjet shëndetësore false, mashtrimet në telefon dhe krimi kibernetik.

Ndërkohë, pas 6 orë bisedimesh mbrëmjen e shkuar, liderët e Bashkimit Europian ranë dakord që t’i jepnin ministrave të Financës të Eurozonës 2 javë kohë për të rënë dakord për një përgjigje të fortë ndaj krizës ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi.

Rusia ka regjistruar 1 mijë raste të prekur me Covid-19 dhe 3 vdekje. Në këtë shtet janë urdhëruar mbyllja e kafeneve dhe restoranteve nga e shtuna ndërsa javën e ardhshme asnjë nuk do të punojë.

Në Zvicër që nga shpërthimi i pandemisë kanë humbur jetën 194 persona dhe rreth 1 mijë raste të reja në 24 orë.

Ndërkohë, zyrtarë të shëndetësisë thonë se numri i vdekjeve në Spanjë ka shkuar në 4,858, me 769 vdekje vetëm 24 orët e fundit. Një ditë më parë, numri i viktimave ishte 655. Në total, Spanja ka pësuar një rritje me 7,871 raste një ditë më parë, duke e çuar në total në 64,059 numrin e të infektuarve. Numri i personave që janë shëruar është 9,357.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi me numrin me të madh të të prekurve me koronavirus, me mbi 85,500 duke tejkaluar kështu Italinë dhe Kinën, por numri i viktimave është më i ulët, 1,300. Presidenti Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij kinez Shi Xhin Ping. Kina ka shprehur gatishmërinë të forcojë bashkëpunimin dhe të ofrojë mbështetje për Shtetet e Bashkuara në përballimin e krizës së emergjencës./tvklan.al