Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri ka shkuar në 106, ndërsa ai i të prekurve në 4.500. Virusi është përhapur përreth Kinës dhe në të paktën 16 vende të ndryshme. Së fundmi raportohet se sëmundja ka mbërritur edhe në Gjermani.

Kompania që furnizon pjesë makinash, Webasto, ka deklaruar këtë të martë se një punëtor është konfirmuar si i infektuar me koronoavirus. Ky rast bëhet i dyti pas atij të një tjetër punonjësi, i cili ishte kthyer nga Kina pas një vizite atje.

“Webasto konfirmon se personi i infektuar me koronavirus është nga Starnberg dhe një punonjës në zyrat qendrore në Stockdorf”, thuhej në një deklaratë zyrtare të kompanisë.

Ndërkohë në një deklaratë një ditë më parë, kompania tha se një punonjës kinez kishte rezultuar pozitiv mbi virusin pasi ishte kthyer nga Kina pas vizitës në zyrat qendrore.

Kompania ka 11 fabrika në Kinë, duke përfshirë edhe Wuhan-in, epiqendrën e koronavirusit. Kompania ka pezulluar udhëtimet drejt Kinës për dy javët e ardhshme.

Koronavirusi i ri mund të shkaktojë infeksione të rënda respiratore, të cilat mund të çojnë deri në humbje jete. Shkencëtarët nuk kanë arritur ende të zbulojnë një kurë apo vaksinë./tvklan.al