BSH: Industria dhe ndërtimi sektorët më optimistë

Besimi i biznesit dhe konsumatorit në ekonomi ka shënuar rritje për herë të parë që prej nisjes së pandemisë së Covid-19 në Shqipëri, duke lënë mënjanë dhe pasiguritë që përjeton në periudhë zgjedhjesh sektori privat.

Treguesi i ndjesisë ekonomike i publikuar për 3-mujorin e parë të këtij viti nga Banka e Shqipërisë, ka arritur të rritet me 10 pikë më shumë se fundi i vitit 2020, edhe pse ky nivel mbetet nën mesataren historike të këtij treguesi.

Konsumatorët i janë kthyer blerjeve të mëdha dhe situata financiare e familjes rezulton e përmirësuar.

Rritjen më të madhe të besimit e ka patur sektori i industrisë, i cili rezulton edhe mbi mesataren afatgjatë të treguesit. Bizneset në këtë fushë shprehen se presin rritje të prodhimit duke patur si shkak shtimin e porosive.

Edhe ndërtimi vijon të qëndrojë optimist, ndërsa raportohet rritje e blerjeve dhe aktivitetit ndërtues.

Tregtia rriti besimin në komponentin e ecurisë së biznesit dhe pritjeve të punësimit, ndërsa sektori i shërbimeve edhe pse është më optimist se në fund të vitit, sërish qëndron i pasigurtë sa i përket shfrytëzimit të kapaciteteve dhe ecurisë së punësimit.

Tv Klan