Rritet trendi i biçikletave në Europë. Sipas statistikave të fundit tregu i biçikletave ka pësuar një ngritje të jashtëzakonshme me 22 miliona biçikleta të shitura, duke shënuar kështu maksimumin e 20 viteve të fundit. Bëhet fjalë për një vlerë totale prej 18.3 miliardë euro, e barabartë me rritje prej 40% të tregut në vendet e Bashkimit Evropian dhe Britaninë e Madhe.

Statistikat mbërrijnë nga Konfederata Evropiane e Industrisë, ku theksohet se viti i kaluar shënon vlerat më të mira të këtij sektori. Ndërkohë që në raport vihet në pah se i gjithë zinxhiri ka shënuar rritje, ku edhe pjesët e këmbimit apo aksesorët kanë shënuar një bilanc me 3 miliardë euro më tepër se një vit më parë.

Edhe në nivel botëror shitjet kanë ndjekur të njëjtin trend, ku edhe ebike kanë një rritje prej 52%. Në Europe biçikletat elektrike të shitura janë 4.5 milionë, nga të cilat 3.6 janë të prodhuara në kontinentin tonë, duke sjellë kështu edhe një rritje me 30% të vendeve të punës në vitin 2020 në krahasim me 2019. Ngritja e tregut të biçikletave, është nxitur shumë edhe nga politikat mjedisore të promovuara vazhdimisht në kuadër të transportit të pastër dhe pa ndotje.

Klan News