Pipero: Mjekët në QSUT shkelën protokollet

Rritja e numrit të të infektuarve dhe shtrimet në spital janë përtej pritshmërive të bluzave të bardha. Mjeku infeksionit, Pëllumb Pipero, tha për Televizionin Klan se kjo ka ardhur për shkak të mos mbajtjes së maskës dhe distancimit fizik.

“Situata është më shumë sesa shqetësuese. Lidhet me një psikologji të gabuar, se me heqjen e masave shtrënguese, virusi iku”.

I pyetur në lidhje me pacientët e infektuar në QSUT, Pipero thotë se në tre raste ata kanë humbur jetën, por nuk dihet nëse Covid ka rënduar sëmundjen, apo sëmundjet bashkëshoqëruese kanë qenë shkaku kryesor.

“Nuk është respektuar protokolli gjatë konsultës me pacientët duke mos vendosur maskën ndoshta, as pacienti, as personeli mjekësor”.

E ndërsa e gjithë bota ndodhet nën trysninë e pandemisë së Covid-19, mjeku Pëllumb Pipero thotë se sistemi ynë shëndetësor mund të përballojë deri në 500 të infektuar, që do të kenë nevojë për shtrim spitalor.

“Ne nuk do të dëshironim as të 1 të 10 e këtyre kapaciteteve të plotësoheshin. Mjafton maska dhe distanca, krahas higjienës së duarve, në mënyrë që kapacitetet spitalore të jenë të mundshme, por të mos përdoren”.

Komiteti Teknik Anticovid ka deklaruar se nuk do të ketë një rimbyllje të vendit, por kërkojnë nga qytetarët që të respektojnë masat kundër përhapjes së koronavirusit në vend.

Tv Klan