Kryeministri Edi Rama njoftoi ditën e sotme se paga mesatare në Shqipëri do të shkojë 900 Euro në harkun e 1 viti. Ai theksoi se kjo reformë do të realizohet në dy hapa. Faza e parë është tani me rritjen e pagave për mësuesit, punonjësit në sektorin e sigurisë, mjekët dhe infermierët. Ndërsa kreu i qeverisë thekson se pjesa tjetër do të paguhet më shumë vitin e ardhshëm.

Megjithatë projektligji prek vetëm sektorin publik. Në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë, Rama u pyet nga gazetarët se si do të nxitet edhe sektori

për të rritur pagat. Kryeministri u shpreh se ky është një proces i ndërthurur sepse rritja e pagave në sektorin publik do të detyrojë edhe atë privat të bëjë të njëjtën gjë për shkak të burimeve njerëzore.

Ai theksoi se pagat në sektorin privat po rriten me shpejtësi ndërsa shtoi se aktualisht ka një proces komunikimi me sipërmarrjen private për t’i sensibilizuar ata për domosdoshmërinë e mbrojtjes së kapitalit njerëzor. Kreu i qeverisë u shpreh optimist dhe tha se shikon shenja pozitive nga sipërmarrja private. Megjithatë, njoftoi se qeveria do të marrë masa të tjera, të cilat po i koncepton.  

 “Është një proces i ndërthurur sepse rritja e pagave në sektorin publik rrit patjetër edhe aftësinë e sektorit publik për të thithur burime njerëzore më të kualifikuara dhe nga kjo, sektori privat do të jetë i detyruar të rrisë pagat. Gjë që po ndodh sot. Sot pagat në sektorin privat po rriten me shpejtësi. Ne po vazhdojmë të nxisim duke shtyrë nga poshtë sepse i vetmi element që ne kemi në dorë është paga minimale që e rritëm jashtë edhe parashikimit elektoral, jo vetëm tonit, por edhe partive që e dinë që nuk do vijnë kurrë në pushtet dhe premtojnë gjëra për të cilat asnjëherë nuk do japin llogari. Dhe faktikisht sot jemi në një situatë ku kemi filluar një proces komunikimi me sipërmarrjen private për të sensibilizuar sipërmarrësit lidhur me domosdoshmërinë e mbrojtjes së kapitalit njerëzor, në kushtet kur kjo botë është bërë gjithmonë e më e egër për të marrë krah pune, të kualifikuar ose jo. Në këtë luftë të egër janë përfshirë të gjitha vendet e zhvilluara. Ne jemi optimistë dhe shikojmë shenja pozitive nga sipërmarrja private. Ne do të marrim masa të tjera. Jemi duke i konceptuar. Për ne nuk është thjesht çështje rritje page, por mbrojtje e punonjësve dhe e punëtorëve nga shfrytëzimi. Ka pasur një periudhë kohe kur kjo ka qenë pjesë e natyrshme e një zhvillimi të caktuar. Ne e kemi filluar këtë punë me të ardhura për frymë 3200 Euro mos gabohem dhe sot jemi mbi 6 mijë euro të ardhura për frymë. Dyfishimi i të ardhurave për frymë është rezultat i këtyre reformave. Është një mundësi për të kuptuar se nuk vazhdohet më”, tha Rama.

Sipas Ramës, sipërmarrja private duhet të vihet në alarm dhe të ndryshojë qasjen. Ai theksoi se shqiptaria është në një fazë të re ekonomike dhe sociale.

“Këtu sipërmarrja duhet të vihet në alarm dhe të kuptojë se duhet të ndryshojë qasjen. Këto janë sfida të një kohe të re. Shqipëria është në një kohë të re ekonomike dhe sociale. Sot unë jam shumë i kënaqur që ia kemi dalë t’i çojmë pagat për shqiptarët në një nivel që është në mesataren e lartë të rajonit tonë dhe sigurisht që nuk jemi të vetëkënaqur, por jemi thjesht të kënaqur. Kjo është dita e rritjes së pagave, të gjitha storiet e tjera që duhen për të ushqyer audienca të talebanizuara ka plot ditë të tjera”, tha Rama./tvklan.al