Menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit për rritjen e pensioneve në qytet dhe në fshat, vetëm më 1 Korrik rreth 15 mijë pensionistë kanë tërhequr pensionet bashkë me shtesat pranë sporteleve të Postës Shqiptare, një proces që ka ecur normalisht në të gjithë vendin, siç thotë drejtori i Postës Shqiptare, Arqile Gorea.
Arqile Gorea: “Ka filluar me datën 1 korrik shpërndarja dhe kanë filluar me shtesat. Që në ditën e parë të fillimit të shpërndarjes së pensioneve kemi punë normale. Vetëm me datën 1 Korrik pra ditën e djeshme, janë shpërndarë rreth 15 mijë pensione, normalisht është dita e parë dhe ka qenë. Në ditën e sotme unë shpresoj që do dyfishohet dhe trefishohet numri i pensionistëve që paraqiten në sportelet tona sipas datave që kanë për të marrë pensiononi.”
Posta Shqiptare siguron qytetarët se është në gjendje të presë një numër më të madh pensionistësh, pasi nga ky institucion janë marrë të gjitha masat për të përballuar edhe rastet e flukseve nëpër sportele.
Arqile Gorea: “Unë mendoj që edhe në ditët në vazhdim Posta Shqiptare tashmë e ka kaluar sprovën e të tillave detyra që i ngarkohen nga qeveria shqiptare. Kështu që mendoj që edhe ky aksion do të eci me sukses.”
Nga rritja e pensioneve përfitojnë 520 mijë pensionistë në të gjitha kategoritë e pensioneve.
Fondi shtesë i akorduar nga qeveria për 6 mujorin e dytë të këtij viti, për rritjen e pensioneve, arrin në afro 2 miliardë lekë./tvklan.al