Partitë e ekstremit të djathtë në vendet e Bashkimit Evropian (BE) vazhdojnë të kenë rritje në mbështetjen e qytetarëve dhe pritet që të kenë sukses të konsiderueshëm në zgjedhjet e ardhshme evropiane që zhvillohet në 27 vende anëtare të bllokut mes 6 dhe 9 Qershorit të këtij viti.

Këtë e ka pohuar në një analizë së fundi Këshilli Evropian për marrëdhënie të jashtme (ECFR), një grup hulumtues që përgatit analiza politike.

Sipas anketave të fundit të matjeve në mesin e votuesve në vendet e BE-së, pritet që partitë e së djathtës ekstreme të shënojnë rritje të konsiderueshme të votave dhe si pasojë edhe të numrit të deputetëve në Parlamentin e ardhshëm Evropian pas zgjedhjeve të vitit 2024, në krahasim me numrin që aktualisht e kanë.

Nga ana tjetër, pritet që partitë e qendrës së majtë të kenë rënie dhe të humbasin vota.

Por, diplomatët në BE janë të mendimit se është herët të parashihet për ndikimet që do të kenë ndryshimet në Parlamentin Evropian (PE) në zhvillimet në BE, pasi koalicionet mes grupimeve politike në PE dallojnë prej atyre në nivele nacionale dhe nuk kanë një model të caktuar.

Prej kur ekziston PE-ja gjithmonë ato që quhen “grupi i qendrës pro-evropiane” kanë pasur shumicën e mjaftueshme për të caktuar agjendën dhe për t’i kaluar vendimet në këtë institucion të BE-së. Në atë grup, hyn Partia Popullore Evropiane (EPP) nga qendra e djathtë që ka numrin më të madh të vendeve. Pastaj, socialdemokratët (S&D) që janë grupi i dytë dhe atyre u janë bashkuar edhe deputetët e grupit liberal. Por, si parti pro-evropiane mund të quhen edhe të gjelbrit.

Këto katër parti, ndonëse kanë dallime sa u përket disa politikave të BE-së, ato ndajnë përkushtimin se BE-ja nuk duhet të vihet në pikëpyetje dhe procesi i integrimeve duhet të vazhdojë. Në këtë moment së bashku këto katër parti kanë 491 deputetë në Parlamentin Evropian që ka 705 ulëse.

Numri i tyre do të zvogëlohet dukshëm, nëse realizohen parashikimet tashmë të bazuara në anketat e publikuara nga ECFR-ja. Ato, në mandatin nga 2024 deri më 2029 do të mund të llogarisin në 451 ulëse, por në një Parlament me 720 ulëse.

Në Bruksel dhe në qendrat e vendeve anëtare nuk kanë dyshim se e djathta ekstreme do të jetë më e zëshme në Parlamentin Evropian, sepse ky trend po shihet edhe në vendet anëtare që ka shkaktuar shqetësim. Partia e Lirisë e udhëhequr nga Geert Wilders, parti radikale në Holandë, ka dalë fituese në zgjedhjet e fundit në këtë vend dhe, nëse ka sukses në negociata, mund edhe të formojë qeverinë.

Në Belgjikë në anketa udhëheq partia e Interesit Flaman, po ashtu parti kundër imigrantëve dhe radikale.

Në Gjermani rritja e mbështetjes për partinë Alternativa për Gjermaninë ka shkaktuar alarm dhe protesta në rrugë.

Në Francë mund të fitojë Lëvizja Nacionale e Marine Le Pen.

Edhe analiza e Këshillit Evropian për punë të jashtme parasheh se në nëntë vende anëtare partitë populiste të djathta do të dalin fituese. Do të performojnë mirë edhe në disa vende tjera.

Por, nga ana tjetër, ndikimi i tyre në Parlamentin Evropian mund të zvogëlohet shumë nëse do të ketë unitet nga kundërshtarët e tyre. Nuk janë as të gjitha partitë e ekstremit të djathtë me qëndrime të njëjta në nivel evropian. Ka shumë dallim mes tyre dhe nuk mund të krijojnë një grup homogjen. Disa nga partitë e tilla janë skeptike ndaj BE-së, por jo kundër saj.

Ka të tilla që duan edhe shuarjen e BE-së.

Disa parti të ekstremit të djathtë në Evropë janë shumë pro-Rusisë, si në Francë, Austri dhe Gjermani, ndërsa të tjerat janë kritike të mëdha të Rusisë, si ato në Poloni dhe Itali. Si shembull merret edhe Grupimi i Konservatorëve dhe reformistëve (ECR). Sa i përket qëndrimeve ndaj BE-së, ky grupim është skeptik.

Por, dallon shumë nga grupimet e së djathtës ekstreme. Këtë grupim e kishte themeluar Partia Konservatore Britanike në kohën kur Mbretëria e Bashkuar ishte ende anëtare e BE-së. Ishte formuar si reagim ndaj përpjekjeve për thellimin e integrimeve evropiane që çonin drejt federalizmit të BE-së. Ky grupim nuk është kundër Bashkimit Evropian, por insiston që institucionet e përbashkëta të BE-së të kenë sa më pak kompetenca dhe të ruhet sa më shumë sovraniteti i vendeve anëtare.

Analistët e Këshillit Evropian për çështje të jashtme mendojnë se rritja e së djathtës ekstreme do të ketë ndikim edhe në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ndërsa votat e tyre mund të kenë pasoja edhe për drejtimin gjeostrategjik të BE-së në të ardhmen.

“Parlamenti i ardhshëm Evropian mund të bllokojë legjislacionin e nevojshëm për zbatimin e disa politikave të BE-së nga ndryshimet klimatike deri te migracioni, zgjerimi dhe ndihma për Ukrainën”, thuhet në analizën e këtij grupi.

Por, diplomatët në Bruksel janë të mendimit se edhe në përbërjen e ardhshme në Parlamentin Evropian do të ketë shumicë të mjaftueshme të deputetëve për të siguruar mbështetjen e këtij institucioni të BE-së për zgjerimin, si për vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.

Pasi Parlamenti Evropian miraton vendimet dhe rezolutat me parimin demokratik me shumicë votash, kjo shumicë në mbështetje të zgjerimit pritet të ruhet edhe në përbërjen e ardhshme pas zgjedhjeve të vitit 2024. Kjo sepse partitë më ekstremiste që janë kundër zgjerimit janë edhe kundër Bashkimit Evropian. Për to BE-ja jo vetëm se nuk do të duhej të zgjerohej, por nuk do të duhej as të ekzistonte. E, ka parti në Parlamentin Evropian, që nuk janë pjesë e grupit pro-BE të qendrës, si E Majta e Bashkuar dhe Konservatorët, që e mbështesin fuqishëm po ashtu zgjerimin e BE-së, me kushtin që ky zgjerim të mos rezultojë me rritjen e kompetencave për institucionet e Bashkimit Evropian.

Sfidë më serioze për forcat politike të qendrës në BE do të jetë suksesi eventual i partive radikale në nivel kombëtar dhe ardhja e tyre në pushtet. Në atë rast, ato do të kenë fuqi edhe në Këshillin Evropian kur ekziston dhe mundësia e vetos.

Por, në Parlamentin Evropian ndonëse mund të ketë rritje të ndikimit, fuqia bllokuese e partive ekstreme mund të kufizohet./REL