Krimbat janë shëruesit efektivë, edhe pse të pazakontë në trajtimin e plagëve kronike si çarjet e këmbëve te personat me diabet dhe përshpejtojnë rigjenerimin.

“Terapia e krimbave” është  miratuar nga Shërbimi Shëndetësor britanik prej vitit 2004 dhe FDA i ka aprovuar krimbat si “pajisje mjekësore”, shkruan “Metro”. BioMonde, një kompani në Uellsin Jugor i rrit këta krimba në laborator dhe më pas i vendos në qeskëza-rrjetë, të endura me kujdes, me madhësi sa një paketë çaji që më pas lihen në plagët e pacientit për 4 ditë.

Larvat bëjnë punën e tyre përmes materialit dhe më pas hiqen përpara se të kthehen në insekte fluturuese. BioMonde realizon çdo vit më shumë se 5000 trajtime të tilla në 250 spitale shtetërore në Britani dhe mbi 15.000 në Europë. Secili prej tyre bëhet me rekomandim nga mjeku dhe dërgohet brenda 24 orëve.

Trajtimi ofrohet më së shumti për gangrenat. Disa lloj larvash ushqehen me indet e vdekura apo të infektuara dhe i lënë të qeta qelizat e shëndetshme. Ato e luftojnë infeksionin duke çliruar substanca që vrasin bakteret dhe stimulojnë shërimin.

Teksa ato ushqehen,lëshojnë kimikate që e shndërrojnë indin e vdekur në një lëng që e pijnë. Në momentin që vendosen mbi plagë, larvat kanë madhësinë e një kokrre orizi dhe rriten rreth 10-12 mm  gjatë terapisë. Ato nuk kafshojnë sepse nuk kanë dhëmbë dhe as nuk shumohen.

Krimbat janë gjithashtu më pak të kushtueshme sepse një qeskëz kushton rreth 250 Paund, në varësi të madhësisë. Koha në të cilën ato pastrojnë plagën shkurton kohën e shtrimit në spital, koston e heqjes së indeve të vdekura me metoda mjekësore dhe mund të ndihmojë në shmangien e amputimeve.

Metoda njihet prej shekujsh por me shpikjen e penicilinës dhe antibiotikëve të tjerë nuk përdorej më. Tani po fiton sërish popullaritet për shkak të rritjes së rezistencës ndaj antibiotikëve./tvklan.al