Ministria e Shëndetësisë ka paditur në Gjykatën Administrative Urdhrin e Stomatologut. Shkak është bërë vendimi i Urdhrit për të rritur tarifat e shërbimit dentar. Por sipas Ministrisë, ky vendim është në tejkalim të kompetencave të Urdhrit dhe në shkelje të disa ligjeve.

Në kërkesë-padi argumentohet se nuk është atribut i Urdhrit miratimi i listës së çmimeve dysheme për shërbimet dentare dhe se ky vendim është në kundërshtim me ligjin për Urdhrin e Stomatologut, ligjin për shërbimin shëndetësor stomatologjik dhe kodin e procedurës administrative.

Paralelisht edhe Autoriteti i Konkurrencës po bën vlerësimin e këtij akti normativ nëse ai bie në kundërshtim me ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Vendimi i Urdhrit të Stomatologut është marrë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të mbajtur më 14 Dhjetor 2018. Sipas këtij Urdhri, ky vendim për rritjen e çmimeve ka ardhur pas kërkesës se 70% të stomatologëve.

Sipas listës së publikuar, Urdhri i Stomatologut ka vendosur çmime dysheme për një kategori të caktuar shërbimesh dentare, si për terapinë, ortopedinë, kirurgjinë dhe ortodoncinë. Por tarifat e propozuara bëjnë të paaksesueshëm shërbimin stomatologjik për qytetarët.

Për shqiptarët, edhe tarifat aktuale të shërbimit stomatologjik janë të papërballueshme. Raporti i fundit ka nxjerrë në pah se 50% nuk kanë para për të shkuar tek dentisti.

Tv Klan