Disa u pështynë në fytyrë, të tjerë u sulmuan fizikisht dhe disa duruan abuzime të fomave të ndryshme. Kështu e përshkruan prestigjiozja “The Guardian” dhunën që ka përjetuar stafi mjekësor përgjatë pandemisë në të gjithë botën.

Sipas shifrave të fundit nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq vihet re një rritje e rasteve të incidenteve të shënuara. 848 incidente të dhunshme të lidhura me COVID-19 u regjistruan nga Shkurti deri në Dhjetor vitin e kaluar. Ky numër ka të ngjarë të jetë vetëm “maja e ajsbergut” dhe pjesë e një fenomeni shumë më të përhapur se kaq pasi një pjesë e këtyre incidenteve nuk raportohen.

Shumica dërrmuese e rasteve të dhunës janë shkaktuar nga të afërmit ose familjarët e pacientëve të cilët i kanë sulmuar  punonjësit e kujdesit shëndetësor, ndonjëherë me pasoja mjaft të rënda. Pamundësia për të kryer ritualet e varrimit për shkak të kufizimeve të koronavirusit nxiti gjithashtu e më shumë këto raste .

Në Indi dhe Pakistan personeli mjekësor është sulmuar fizikisht. Raste dhune janë shënuar dhe në Europë , në Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar janë raportuar  po ashtu forma dhune.

Në Mbretërinë  e Bashkuar së fundmi është propozuar një rritje e dënimit nga 12 muaj në dy vite  burg për këdo që sulmon një punonjës të personelit mjekësor. Autoritet në Sudan dhe Algjeri kanë propozuar ndryshime në kodin penal në mënyrë që  pikërisht  ata që janë në vijën e parë të  frontit në  luftën kundër pandemisë të ndihen të mbrojtur në vendin e punës.

Klan News